Wednesday, 18 November 2009 14:03
Translation is on process....
MSH dhe profesionistët mjekësor u bëjnë thirrje qytetarëve të vendit që antibiotikët t’i përdorin vetëm me rekomandim dhe përshkrim të mjekut
Me rastin e Ditës Evropiane të Vetëdijesimit për Antibiotikë, në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, u organizuar sot një konferencë për media.Zëvendësministrja e Shëndetësisë dr. Mybera Mustafa tha se Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë shënon një moment të mire, që qytetarëve tanë t’u dërgojmë një mesazh të drejtë dhe t’i porosisim ata që antibiotikët të përdoren vetëm me përshkrim të mjekut, në të kundërtën, këto barna mund të kenë efekte negative, të cilat profesionistët nuk i dëshirojnë.
Ajo tha se Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore, do të promovojë politika të drejta shëndetësore, të cilët ulin rezistencën në antibiotikë, sepse ulja e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së popullatës sonë, është një objektiv të cilin duhet ta arrijmë me çdo kusht.
Kujdes të veçantë, tha ajo, Ministria do t’i kushtojë edhe zhvillimit të programeve të mbikëqyrjes së përdorimit të antibiotikëve, duke u siguruar kështu që politikat që avancojnë përdorimin e drejtë të tyre, po zbatohen nga profesionistët.
Kurse dr. Lul Raka, koordinatori i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe parandalimin e Sëmundjeve (ECDC), tha se rezistenca ndaj antibiotikëve është problem serioz i shëndetit publik në Evropë dhe kudo në botë, duke shënuar dyfishim në nivelin global gjatë 5 viteve të fundit.
Çdo vit në Bashkimin Evropian vdesin afër 25.000 njerëz nga infeksionet e shkaktuara me baktere rezistente ndaj antibiotikëve. Kostoja vjetore e shpenzimeve të shkaktuara nga rezistenca në BE shkon deri në 1.5 miliardë euro, tha ai.
Nga kjo konferencë u është bërë thirrje profesionistëve që të jenë të kujdeshëm në dhënien e antibiotikëve, derisa qytetarëve u është kërkuar që të mos marrin antibiotikë pa përshkrimin e mjekut.
