Wednesday, 25 November 2009 06:59
Translation is on process....
Komiteti Nacional i Kosovës për Sëmundje Ngjitëse në mbledhjen e vet të mbajtur sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe të kryesuar nga kryetari i këtij komiteti, Isuf Dedushaj, ka rekomanduar marrjen e vaksinës kundër Gripit të ri pandemik A H1N1.
Në këtë takim, ku kanë marrë pjesë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, të IKSHP-së, QKUK-së, OBSH-së dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, është rekomanduar që vaksinat të cilat nga Republikën e Turqisë kanë ardhur donacion për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të merren nga ana e kategorive me prioritet, të cilat një ditë më parë janë rekomanduar nga Bordi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Në takim, u përsërit që vaksinat e ardhura nga Turqia kundër Gripit të ri pandemik A H1N1 (Focetria) të jepen me prioritet për dy grupet më të rrezikuara: punëtorët shëndetësor dhe personat me sëmundje kronike (të indikuar nga mjeku klinicist).
Komiteti shpjegon se vaksina rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe EMEA (Agjensioni Evropian për Produkte Medicinale).
Dhënia e vaksinës nuk preferohet te ata që kanë kundër-indikacione apo sëmundje të ndryshme alergjike apo të tjera , për të cilat duhet konsultuar me mjekun.
Në këtë takim, Komiteti ka kërkuar që medikamenti Tamiflu të jepet te pacientët e dyshuar për Grip A H1N1 edhe nga infektologët rajonalë dhe në bazë të rrethanave të krijuara epidemiologjike, që nënkuptojnë rritjen e numrit të rasteve në komuna , ku mjekët në komuna do të mund të autorizoheshin që edhe ata ta japin Tamiflunë.
Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që prej kësaj jave do të raportojë në baza javore për rastet e Gripit A H1N1 dhe Gripit sezonal, ndërsa Qendra Kombëtare për Grip, do t’i diagnostikojë vetëm rastet e rënda klinika dhe ato të dërguara nga klinicistët.
Komiteti ka kërkuar që të vazhdojë dezinfektimi i rregullt i të gjitha shkollave fillore dhe të mesme dhe dezinfektimi i institucioneve shëndetësore.
Sa i përket situatës epidemiologjike, deri tash në Kosovë ka pasur 317 raste të dyshimta, prej të cilave 98 raste janë konfirmuar si A H1N1 pozitive dhe 21 raste të Gripit Sezonal.
Në Klinikën Infektive në njëzet e katër orët e fundit janë hospitalizuar 20 raste të dyshuara në Gripin e derrave dhe Gripin sezonal për shëndetin e të cilëve po përkujdesen personali aty.
Komiteti Nacional i Kosovës për Sëmundje Ngjitëse u ka bën thirrje qytetarëve të vazhdojnë t’i zbatojnë rekomandimet dhe këshillat e dhëna nga institucionet.
